120’000 euro – dhe më shumë – dëmshpërblim për një rrahje

Tre nxënës nga Cyrihu më 2009 e rrahën në mënyrë brutale një burrë në Mynih. Autori kryesor, përveç dënimit me para, duhet të paguajë edhe për të gjitha problemet shëndetësore të viktimës në të ardhmen.

Motiv dhune: Ata që flasin me grushte. Foto: Kvitka Fabian / Shutterstock

Para shtatë vitesh tre nxënës nga Küsnachti i Cyrihut gjatë një udhëtimi me shkollën në Mynih iu kishin mësyer në dajak një grupi njërëzish në rrugë. Tani Gjykata e Lartë e landit në Mynih autorin kryesor të rrahjes e ka dënuar me një dëmshpërblim prej 120’000 eurove për viktimën.

Për më tepër, zvicerani do të përgjigjet për të gjitha dëmet eventuale shëndetësore të viktimës në të ardhmen, e transmetojnë mediat agjencinë zvicerane të lajmeve. Paditësi është një afarist, sot 53-vjeçar, i cili më 2009 u rrah brutalisht nga 16-vjeçari zviceran dhe dy kolegët e tij.

Autori atëbotë kishte qenë në një shëtitje shkollore si nxënës i shkollës për arsimim të mëtutjeshëm dhe zgjedhje të profesionit në Küsnacht të Cyrihut. Në mbrëmjen e 30 qershorit të 2009-tës, bashkë me dy kolegë të tij, i kishin rrahur pesë kalimtarë të rastit në rrugë.

Gjykata e të Rinjve e landit në Mynih më 2010 të rinjtë i kishte dënuar me shtatë, katër dhe dy vjet e dhjetë muaj heqje lirie. ks