130 euro – çka të bësh me këtë shumë, me këtë rrogë minimale? – pak me jetue, shumë me vdekë

Çka të bësh me 130 euro kur je pushtetar zhvatës shqiptar? Ha një copë mish në New York. Dhe «punon» për Kosovën.




I.
Rrogat mujore të atyre që quhen shërbyes civilë u rritën. Se a do të rritet edhe cilësia e shërbimeve që janë të obliguar të ofrojnë shërbyesit civilë – askush nuk e di, madje duhet dyshuar shumë. A do të përmirësohet sistemi arsimor? Një ëndërr e bukur. A do t’i trajtojnë më mirë pacientët punëtorët shëndetësorë? Askush nuk e di. Mbetet vetëm një shpresë. Shpeshherë e kotë. Por, me rëndësi është që qeveria shpëtoi, njëherë për njëherë, edhe Europës iu afruam shumë, sipas kryetarit të një partie «shumë të madhe», e cila – në të vërtetë – është organizatë kriminale që duke «menaxhuar» pasuritë publike ka krijuar aso fuqie financiare, saqë blen e shet gati çdokënd sipas interesit të momentit. Kjo parti ia heq ose ia vë dhëmbët çdo qelbësire publike dhe gjysmëpublike. Me dhëmbë të rinj shërbyesi kafshon më shumë – jo vetëm molla.

II.
Rrogat mujore të atyre që quhen shërbyes civilë u rritën. Dhe dallimi me rrogat e atyre që punojnë në sektorin privat shkon deri në 40 për qind. Kërkesat për të hyrë diku «n’punë t’shtetit» do të shtohen. Sepse të punosh në sektorin privat nuk ia vlen, ky është mesazhi i politikave të këtij koalicionit qeveritar. Futu diku «n’qeveri», bëhu i dëgjueshëm. Ndërkohë, sa për vëmendjen e lexuesve, rroga minimale për punëtorët nën 35-vjet në Kosovë është – 130 euro. A e dinë pushtetarët e Kosovës sa janë 130 euro? Po ta dinin, nuk do ta masakronin buxhetin. 130 euro – çka të bësh me këtë shumë, me këtë rrogë minimale? – pak me jetue, shumë me vdekë.

III.
130 euro. Kaq kushton një shishe verë që me para të buxhetit apo me para të vjedhura nga buxheti apo me para të plaçkitura nga një tender e paguajnë politikanët e Kosovës në lokalet e Prishtinës ose kur shkojnë në New York për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. 130 euro – një copë mish në një «Steakhouse» diku në botën e shndritshme, larg syve të argatëve të Kosovës, larg atyre që kërkojnë punë çdo ditë nëpër bulevardet e Kosovës, larg atyre që kërkojnë lëmoshë. 130 euro është rroga e punëtorëve që çdo ditë rrezikojnë jetën duke u ngjitur gati në qiell për të ndërtuar qiellgërvishtësin e radhës. 130 euro që disa as nuk arrijnë t’i marrin, sepse vdesin në aksidente në punë për shkak se punëdhënësit nuk i përmbushin kriteret elementare të sigurisë. 130 euro që bajraktarët shqiptarë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni i harxhojnë për dy peshq të shijshëm, dhe 130 të tjera për atë gjënë me «fruta të detit», pak ujë mineral nga Italia, sepse në viset shqiptare s’ka ujë, pastaj – pse jo – një Château Lafite-Rothschild apo diçka afër kësaj. Kushton sa dhjetë apo njëzet rroga mujore të një argati të ndërtimtarisë në Kosovë.  130 euro – çka të bësh me këtë shumë, me këtë rrogë minimale? – pak me jetue, shumë me vdekë.