13 deputetë shqiptarë nuk mbështetën zbardhjen e «Monstrës» dhe «Sopotit»

Prokuroria Speciale Publike kërkoi ndryshime të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve që të mund të procesojë rastet «Monstra» dhe «Sopoti», që dyshohet se janë të montuara. 13 deputetë shqiptarë nuk morën pjesë në seancën parlamentare për të siguruar shumicën e nevojshme që të kalojë ky si dhe ligji për vazhdimin e mandatit të PSP-së.

Trembëdhjetë deputetë shqiptarë nga radhët e BDI-së dhe PDSH-së, përfshirë edhe dy liderët e tyre, Ali Ahmeti e Menduh Thaçi, janë bërë shkak për mosmiratimin e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve të Prokurorisë Speciale Publike. Miratimi i këtij ligji do t’i hapte rrugën edhe zbardhjes së dy rasteve të montuara gjyqësore, «Monstra» dhe «Sopoti», për të cilat disa shqiptarë vuajnë dënime deri në burg të përjetshëm.

Për këto raste vetë prokurorja speciale, Katica Janeva, tha se ka dëshmitarë, por nevojiten ndryshime në ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve me qëllim që ata t’i marrë në mbrojtje vetë prokuroria dhe të mos zbulohen për asnjë insitucion tjetër. Në seancën parlamentare të 4 tetorit, ku duhej të kalonte ky, si dhe ligji për zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike, munguan deputetët: Ali Ahmeti, Artan Grubi, Hazbi Lika, Ramiz Merko, Ermira Mehmeti, Mirsada Emini Asani, Ejup Rustemi, Jamin Sinani, Musa Ibraimi, Mervan Xhemaili nga Bashkimi Demokratik për Integrim, si dhe Menduh Thaçi, Merale Ferati Uzeiri dhe Orhan Ibrahimi, nga Partia Demokratike Shqiptare. Vetëm disa nga deputetët shqiptarë ishin të pranishëm në sallë dhe votuan pro, por votat e tyre nuk mjaftuan për të siguruar shumicën e mjaftueshme.

Gjasat ishin të mëdha që ky ligj të kalonte dhe Prokuroria Speciale të hapë rastet «Monstra» dhe «Sopoti» dhe t’i procedojë më tej në gjykatë. 13 votat e deputetëve shqiptarë do të mjaftonin që ky ligj të kalonte, pasi atë e mbështeti edhe LSDM-ja opozitare. Ligji mori 42 vota pro dhe 52 kundër. Bashkë me votat e 13 deputetëve shqiptarë, do të sigurohej shumica prej 55 votave përballë 52 votave kundër të VMRO-DPMNE-së. Propozim-ligjet për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ai për vazhdimin e punës së Prokurorisë Speciale erdhën me iniciativë të PSP-së, por në Kuvend zyrtarisht u dorëzuan nga LSDM. Fakti që propozimet kanë ardhur nga partia maqedonase në opozitë është përdorur si justifikim nga partia shqiptare në pushtet, BDI, për mosmbështetjen e këtyre ligjeve.

«Prokuroria Speciale duhet të ngrejë iniciativë për propozim-ligjet që duhet t’i votojmë, iniciativa duhet të vije nga PSP dhe jo nga partitë politike brenda kuvendit», deklaroi Rafis Aliti nga BDI pas votimit. Nga Partia Demokratike Shqiptare, lideri i së cilës, Menduh Thaçi poashtu nuk ishte i pranishëm në seancë plenare, nuk dhanë asnjë deklaratë lidhur me këtë temë. Ndërkaq nga partia më e madhe maqedonase, VMRO-DPMNE e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, thanë se nuk do të mbështesin asnjë kërkesë tjetër nga Prokuroria Speciale, jashtë asaj që kishte paraparë Marëveshja e Përzhinos. «Nuk pranojmë marëveshje dhe bisedime të reja, afate jashtë asaj që u dakorduam në kuadër të procesit të quajtur Përzhino», deklaroi mes tjerash deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski. Nga LSDM-ja opozitare akuzuan partitë në pushtet se me mosmiratimin e dy ligjeve duan t’i ikin drejtësisë dhe të fshehin krimin e deritanishëm. «Me votimin e sotëm deputetët e VMRO-DPMNE-së, zyrtarisht u bënë mbulues dhe nidhmues të kriminalitetit të cilin e dënon Prokuroria Speciale Publike. Alibia e BDI-së e fut edhe këtë parti në të njëjtën kategori me VMRO-DPMNE-në», tha zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.

Mosmiratimi i dy ligjeve në Kuvendin e Maqedonisë, ka shkaktuar edhe një varg reagimesh të intelektualëve, analistëve dhe qytetarëve të shumtë nëpër rrjetet sociale të cilët shtizat i drejtojnë kryesisht ndaj dy partive shqiptare, BDI dhe PDSH. Lista e deputetëve që nuk votuan ligjet është: Ali Ahmeti, Artan Grubi, Orhan Ibrahimi, Hazbi Lika, Ramiz Merko, Ermira Mehmeti, Mirsada Emini Asani, Ejup Rustemi, Jamin Sinani, Menduh Thaçi, Merale Ferati Uzeiri, Musa Ibraimi, Mervan Xhemaili.