***

Aleksandër Pushkin.



Mos, bukuroshe, m’i këndo
Të ëmblat këngë të Gruzisë,
Se më kujtohet nga ato
Një koh’ e lumtur e rinisë.

Ndër mend më bie me ngadalë
Kjo kënga jote malësore,
Ndajnatën, hënën përmbi male
Dhe një fytyrë engjëllore.

Ajo fytyrë plot magji
Kur ty të shoh humbet, venitet,
Por ti këndon dhe ja, tani,
Ajo m’e gjallë më fanitet.

Mos, bukuroshe, m’i këndo
Të ëmblat këngë të Gruzisë,
Se më kujtohet nga ato
Një koh’ e lumtur e rinisë.

Përktheu: Petraq Kolevica