Në Llap dominojnë kërkesat për përmirësim të infrastrukturëas

Komuna e Podujevës organizoi debat publik me qytetarë, në të cilin është debatuar për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2017-2019, në bazë të Qarkores Buxhetore 2017/01.

Debatin publik me qytetarët, të mbajtur sot, e ka udhëhequr nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari. Ishin të pranishëm edhe drejtorët e drejtorive të Komunës, transmeton Koha.net.

Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, tha se debati i sotëm me qytetarë është i treti, që po mbahet lidhur me Kornizën afatmesme buxhetore 2017-2019.

«Javën që shkoi kemi mbajtur edhe dy takime të tjera me qytetarë në Lluzhan dhe Kërpimeh, ku kemi debatuar për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2017-2019 dhe kemi regjistruar kërkesat e banorëve dhe përfaqësuesve të disa fshatrave. Krahas investimeve të shumta, që janë bërë në ndërtimin dhe rregullimin e infrastrukturës, na mbetet ende për të investuar, prandaj jemi sot këtu që të marrin kërkesat tuaja dhe bashkërisht të bëjmë planifikimin e projekteve, që do të realizojmë në periudhën e ardhshme», tha nënkryetari Rudari.

Gjatë debatit lidhur me Qarkoren Buxhetore 2017/01 dhe projeksionet buxhetore për periudhën 2017/19, përfaqësuesit e lagjeve të qytetit dhe të fshatrave kanë paraqitur kërkesat e tyre për investime në infrastrukturë.

Kërkesat e qytetarëve edhe kësaj radhe kryesisht ishin të fokusuara në projekte që kanë të bëjnë me asfaltimin e rrugëve dhe rrugicave nëpër lagje të ndryshme të fshatrave, ndërtimin e rrjetit të kanalizimit dhe trotuareve pranë shkollave.

Gjithashtu, pati edhe kërkesa për rregullimin shtretërve të lumenjve dhe ndriçim publik.

Drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Durim Salihu, i ka informuar qytetarët lidhur me projektet e parapara të realizohen gjatë këtij viti dhe mundësinë e përfshirjes së projekteve të propozuara në projeksionet buxhetore për periudhën 2017-2019.

Edhe drejtorët e tjerë kanë dhënë sqarimet lidhur me mundësinë e realizimit të projekteve të propozuara nga qytetarët

Drejtori për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, tha se në bazë të Qarkores Buxhetore 2017/01, të lëshuar nga Ministria e Financave janë përcaktuar kufijtë fillestarë për Buxhetin komunal për vitin 2017 dhe projeksionet buxhetore për periudhën 2017/19.

«Në bazë të Kornizës Afatmesme 2017-2019, buxheti i Komunës së Podujevës edhe për vitin 2017 pritet të jetë i përafërt me atë të vitit 2016», tha drejtori Latifi.