Mjekë e studentë nga SHBA në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot priti tudentë, mjekë, përfaqësues të Universitetit «Georgia Gwinnett College» nga Lawrenceville, ShBA si dhe shoqatës «Kosovo hope», njofton kumtesa nga Kuvendi, transmeton Koha.net.

Veseli u informua për veprimtarinë e mjekëve dhe studentëve nga Universiteti «Georgia Gwinnett College» në Republikën e Kosovës, angazhimin e tyre të vazhdueshëm humanitar, këmbimin e përvojave, si dhe vizitat studimore për studentët e mjekësisë.

Grupi i mjekëve theksoi se interes i tyre i veçantë është veprimtaria humanitare shëndetësore, si dhe në identifikimin e sëmundjeve të pashërueshme në Republikën e Kosovës.

Veseli i falënderoi mjekët e studentët nga Xhorxhia për angazhimin e tyre si dhe kontributin në lëmin e shëndetësisë, duke theksuar se ky lloj bashkëpunimi dhe këmbimi i përvojave dhe studentëve, avancon edhe njohuritë e studentëve edhe shëndetësinë e Kosovës. Kryetari Veseli po ashtu shprehu përkrahje të plotë dhe inkurajoi që këmbimet e studentëve dhe përvojave në këtë drejtim, të intensifikohen edhe më tej në të ardhmen.

Grupi i mjekëve dhe studentëve nga ShBA, i bëri ftesë kryetarit Veseli që të jetë mysafir në Lawrenceville, Xhorxhia, ku pritet të shpallet edhe qytetar nderi i këtij qyteti amerikan.