10,2 milionë euro rrogë vjetore? Po, kaq fitojnë topmenaxherët e Zvicrës

Një krahasim i rrogave të ndërmarrjeve të mëdha europiane tregon se menaxherët zviceranë janë më të paguarit në kontinent.

Foto: Shutterstock



Shefat e firmave të mëdha zvicerane kryesojnë listën e rrogave në Europë. Vitin e kaluar ata mesatarisht kanë marrë rrogë në vlerë prej 10,29 milionë euro (ose 11,8 milionë franga). Këtë e ka treguar studimi «CEO pay landscape in the Eurotop 100» i zyrës për konsulenca Willis Towers Watson, i cili u publikua të enjten. Top-menaxherët zviceranë prijnë në lsitën e rrogave dukshëm para britanikëve (7,4 milionë euro), spanjollëve (5,6 milionë euro) dhe gjermanëve (5,1 milionë euro). Më racionalisht paguhen menaxherët nga vendet nordike: me 1,8 milionë euro ata marrin gati gjashtë herë më pak rrogë se kolegët e tyre zviceranë.

Menaxheri më i paguar europian është Rakesh Kapoor nga firma e artikujeve të konsumit të gjerë Reckitt Benckiser: 14,4 milionë euro. Pas tij renditet me 13,3 milionë euro Martin Sorrell, themelues dhe shef i ndërmarrjes britanike të reklamave WPP. I treti në listë është Sergio Ermotti nga banka zvicerane UBS. Ermotti ka një rrogë vjetore prej 12,3 milionë euro. I katërti në listë figuron shefi i koncernit gjerman SAP, ndërsa pas tij vijojnë shefi i firmës zvicerane të ilaçeve Novartis, Joseph Jimenez (10,8 milionë euro), mandej shefi i ndërmarrjes tjetër zvicerane të ilaçeve Roche, Severin Schwan (10,6 milionë euro) dhe Tidjane Thiam nga Credit-Suisse me 10,3 milionë euro. (dp)