10 vjet burg për shqiptarin që i dërgoi granatë gazetës «Bota Sot»

Jeton Lleshi, një shqiptar nga Struga me shtetësi zvicerane, do të qëndrojë një dekadë në burg për shkak të përpjekjes së shumëfishtë për vrasje.

Gjykata Penale e Konfederatës së Zvicrës.



Për gjykatësit dhe prokurorët zviceranë ishte një atmosferë e pazakonshme: pasi trupi gjykues të martën shpalli dënimin me burg kundër Jeton Lleshit, familjarë dhe miq të tij duartrokitën – me gjasë besonin se Lleshi ishte i pafajshëm. Por, ndryshe mendoi trupi gjykues i Gjykatës Penale të Konfederatës së Zvicrës në qytetin Bellinzona. 41-vjeçari Jeton Lleshi, me origjinë nga Struga, me shtetësi zvicerane, dhe i afërt me struktura të ish-UÇK-së në Kosovë dhe në Maqedoni, u dënua me 10 vjet burg për shkak të përpjekjes së shumëfishtë për vrasje. Përveç dënimit me brg ai u gjobit edhe për armëmbajtje pa leje.

Gjykatësit ishin të bindur se Lleshi më 26 shtator 2002, pra saktësisht para 15 vitesh, i ka dërguar me postë një granatë të prodhimit rus gazetës «Bota Sot». Pakoja me granatë kishte qëndruar disa ditë në redaksinë e gazetës në Zürich dhe pastaj ishte hapur në një banesë të botuesve të gazetës. Rastësisht gjatë hapjes së pakos pranuesit vërejtën disa kabllo dhe alarmuan policinë. Pakoja ishte maskuar si dërgesë me shishe të verës. Prokuroria zvicerane ishte e bindur se po të kishte shpërthyer granata, do të ishin vrarë disa persona të familjes Mazrekaj, e cila edhe sot boton gazetën «Bota Sot».

I akuzuari Jeton Lleshi u mundua t’i bind gjykatësit se nuk kishte pasur qëllim të vrasë askënd. Ai tha se para se ta dërgonte granatën e kishte testuar dhe kishte konstatuar se nuk do të eksplodonte. Lleshi tha se duke ia dërguar granatën gazetës dëshironte t’i jepte një leksion redaksisë, e cila, sipas tij, gjatë luftës paskësh bërë publike rrugët nëpër të cilat kalonin refugjatët. Kështu, sipas tij, forcat serbe u kishin rënë në gjurmë refugjatëve dhe kishin kryer masakra.

Gjykatësja e kryesuar nga Miriam Forni nuk i besoi fare këtij versioni. Ndërsa prokuroria kërkoi 11 vjet burg, gjykata vendosi për 10. Gjykatësja Forni tha se ekspertët kanë konstatuar se granata gjithsesi do të kishte eksploduar po të ishte hapur pakoja nga pjesa e epërme. Garanta nuk shpërtheu krejt rastësisht. Forni e quajti sjelljen e Lleshit të paskrupullt, një maskim mizor me qëllime të përbuzshme.
Lleshi u arrestua në janar të këtij viti rastësisht – pasi më 10 dhjetor 2016 ishte involvuar në një rrahje në një diskotekë në Zürich. Gjatë verifikimit të gjurmëve të gishtërinjve u konstatua se Lleshi mund të jetë dërguesi i pakos me granatë, gjë që gjatë hetimeve u konstatua pa asnjë dyshim. (dp)