1 Janar në të gëdhirë




Pas feste, të gjithë flenë më në fund:
Njerëzit, stacionet televizive, telefonat
Dhe shifra e sapokorrektuar e vitit

Midis natës së fundit dhe ditës së parë,
Një copë qielli i dhëmbëzuar
Si i parë nga goja e hapur e një balene.
Në barkun e saj dhe në barkun e kohës,
Nuk ka arsye  të vrasësh mendjen;
Ti lëviz bashkë me të; ajo e di se ç`rrugë merr,
Dhe brenda saj tretesh ngadalë pa dhimbje.

Dhe po të jesh me fat si profeti Jonah,
Me siguri, dikur do të të tështijë në ndonjë breg,
Bashkë me dhjetëra mbeturina të tjera inorganike.

Të gjithë flenë. Një gjumë i ëmbël hipotermik.
Por, ata të paktë që janë akoma zgjuar,
Mund të dëgjojnë gërvimën e trishtuar të qerres
Që vjedh gurët nga një rrënojë,
Për një ngrehinë të re, vetëm pak metra më tutje.

Përktheu: Natasha Lako