1 gushti: një festë edhe për 200 mijë shqiptarët e Zvicrës

Ditari zviceran (4): për 200 mijë shqiptarë të Zvicrës 1 gushti, Dita Kombëtare e Konfederatës zvicerane, do të duhej të ishte po aq i rëndësishëm sa 17 shkurti dhe 28 nëntori.

Ilustrimi: Shutterstock



Në aeroportin e Prishtinës dhe të Zürichut shpesh bie në sy një prototip shqiptari, i cili duket se kur udhëton e vesh ekstra një këmishë të bardhë si bora vetëm e vetëm që të tjerët të dallojnë pasaportën e tij të kuqe zvicerane, të cilën në mënyrë aspak diskrete e bart në xhepin e majtë të këmishës. Mesazhi i këtij prototipi të shqiptarit është i qartë: «Unë tani jam i lirë dhe i lumtur». I lirë për të udhëtuar pa vizë në pothuaj çdo cep të botës, i privilegjuar për të kaluar në kufi te sporteli për shtetas të vendeve të BE-së dhe të Zvicrës, i respektuar nga çdo polic kufitar.

Një shqiptar i tillë me siguri nuk mungon në asnjë organizim në Zvicër, kur shënohet 17 shkurti (përvjetori i pavarësisë së Kosovës) ose 28 nëntori (dita e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Shqipërisë). Por, 1 gushti, Dita Kombëtare e Zvicrës, për këtë shqiptar mbase është vetëm një ditë në kalendar. Do të duhej të ishte më shumë. Nuk kërkohet nga asnjë shqiptar në Zvicër që më 1 gusht të këndojë himnin kombëtar zviceran para ndonjë komisioni rigoroz komunal, as nuk duhet t’i nënshtrohet ndonjë testi të patriotizmit helvetik, por tani që po bëhen 50 vjet të pranisë së një numri në rritje të shqiptarëve në Zvicër është në të mirën e komunitetit të ketë një identifikim edhe me këtë shtet, i cili nuk është më i huaj. Ata që kanë ardhur në Zvicër në vitet ’60, në vitin 2017 në këtë shtet po i rrisin nipat. Gënjejnë shumë ata që thonë se e kanë ndërmend të kthehen në Kosovë, Preshevë apo Maqedoni. Siç gënjejnë pandërprerë ata futbollistë që luajnë për kombëtaren e Zvicrës dhe thonë se përherë e kanë pasur ëndërr të luajnë për Kosovën.

Andaj, një organizim modest, një gjest, një shenjë nga komuniteti shqiptar për 1 gusht, Ditën Kombëtare të Zvicrës, do të ishte një akt edhe i pjekurisë politike. Identifikimi vetëm me pasaportë është, në thelb, qesharak, sepse sugjeron se pasaporta kërkohet vetëm si dokument për të udhëtuar pa telashe. Por, pasaporta është më shumë: një dokument që të ngarkon edhe me obligime qytetare. Zvicra funksionon në sajë të vullnetit të qytetarëve për t’u angazhuar për çështjet publike. Ndërsa në vende të tjera qytetarët thirren të marrin pjesë në zgjedhje në çdo katër vite, në Zvicër shtetasit me të drejtë vote brenda një viti ftohen të marrin pjesë në referendume për të vendosur për çështje që prekin jetën e tyre: nga ndërtimi i një rruge deri te përcaktimi i nivelit të tatimeve. Nuk ka vend në botë ku qytetarët vendosin vetë sa tatime do të paguajnë. Në këtë garë politike duhet të marrin pjesë sa më shumë shqiptarë, të cilët janë shtetas të këtij vendi. Një numër modest i shqiptarëve po përpiqet të bëjë karrierë politike në nivel komunal dhe kantonal – dhe një angazhim i tillë duhet përshëndetur dhe përkrahur. Por nga kush? Natyrisht edhe nga shqiptarët që janë shtetas zviceranë, pra edhe nga ata me këmisha të bardha që ekspozojnë pasaportën.

Nuk është e tepërt të thuhet se për shqiptarët që mendojnë të jetojnë në Zvicër 1 gushti është (ose do të duhej të ishte) ditë po aq e rëndësishme sa 17 shkurti apo 28 nëntori. Nëse dita kombëtare e një shteti simbolizon bashkësinë solidare, një ambient të jetueshëm, një jetë në mirëqenie dhe në paqe, një administratë dhe infrastrukturë funksionale, atëherë ky vend është Zvicra. Dhe mbi 200 mijë shqiptarë kanë fatin të jetojnë në këtë vend. Numri i atyre që janë pajisur me pasaportë zvicerane po i afrohet 100-mijëshit – me tendencë rritjeje. Këta dhe shumë të tjerë do të duhej të zgjoheshin nga gjumi dhe indiferenca për zhvillimet politike në Zvicër. Dikur shkrimtari zviceran Friedrich Dürrenmatt kishte thënë për bashkëkombësit e tij se kanë prodhuar miliona sahate, por askush nuk ia kishte dalë t’i zgjojë nga gjumi. Dürrenmatt kritikonte izolimin vullnetar të vendit të tij nga bota. Çfarë do t’u thoshte sot Dürrenmatti shqiptarëve të Zvicrës?

Në një vend me shumë kultura, siç është Zvicra, po ashtu me shumë rajone gjuhësore, me konfesione dhe fe të ndryshme, me gati 2 milionë qytetarë të huaj, secili duhet të angazhohet për të mbrojtur vlerat që këtë vend e kanë bërë aq të begatshëm. Nuk ka komb zviceran, por ekziston një komb zviceran nga vullneti: qytetarët thonë se përkundër përkatësive të ndryshme etnike të gjithë i bashkon ideja e Zvicrës së mirëqenë dhe paqësore në një botë të trazuar dhe polarizuar. Në këtë debat, në këtë angazhim 200 mijë shqiptarë nuk duhet të qëndrojnë anash. Shkrimtari zviceran Charles-Ferdinand Ramuz me shpoti kishte thënë se e vetmja gjë e përbashkët që kanë zviceranët janë kutitë e verdha postare dhe uniforma në ushtri. Gjërat e tjera të përbashkëta dhe identifikuese i kanë krijuar gjeneratat e mëhershme, që nga 1 gushti 1291, kur përfaqësues të tre kantoneve të Zvicrës qendrore u mblodhën në një livadh dhe me një gjest pothuaj shqiptar i dhanë besën njëri-tjetrit për të hedhur themelet e Zvicrës, e cila formën e tanishme e ka marrë në vitin 1848, pas një lufte civile mjaft të civilizuar. Para dhe pas këtij viti Zvicra ka qenë e rrethuar me monarki e perandori, me gjeneralë dhe diktatorë, por ka arritur të ruajë demokracinë e saj, nganjëherë edhe me veprime tejet egoiste.

Përtej klisheve – çokollatat, lopët, orët – Zvicra në shumë kuptime është një ishull me superlativë: me një rrjet hekurudhor ndër më funksionalët në botë, me rrogat ndër më të lartat në botë, me një sistem shëndetësor që prin tabelat e botës, me një sistem arsimor që i lë pas shumicën e shteteve të botës. Zviceranët kanë arsye të jenë krenarë me vendin e tyre. Dhe krenarinë ata e shprehin shpesh në mënyrë kreative. Në vitin 1991, në 700 vjetorin e themelimit të konfederatës, nuk u zbuluan as përmendore, as buste, por rreth liqenit ku është nënshkruar akti themelues u hap një rrugë për të ecur, 35 kilometra e gjatë, për secilin kanton nga një pjesë. Kështu, me modesti, kujtohet 1 gushti i vitit 1291, kur tre burra nga tri kantone me maturi dhe paqësisht, pa gjakderdhje, pa heqje kokash, pa vrasje me shigjetë vendosën të krijojnë diçka që më vonë do të bëhej shtet me qytetarë, të cilët në shikim të parë duken paksa refuzues. Diccon Bewwes, një publicist britanik, i cili ka shkruar një libër për Zvicrën, kështu e portreton zviceranin: «Vatra e zviceranit ka karakter të kështjellës. Është e mundur që për këtë arsye zviceranët të duken si të ftohtë dhe të distancuar, por ajo që të huajit i duket si jopërzemërsi domethënë vetëm se zviceranët e ruajnë hapësirën e lirë personale dhe marrin kohë për t’u njohur me dikë». 1 gushti është shans edhe për njohje të reja. Mes zviceranëve dhe shqiptarëve.